Pavarësia e Kosovës / Lazim Destani, homazhe te Varrezat e Jasharajve në Prekaz si dhe vizitë te babai i Hashim Thaçit

Lazim Destani homazhe te Varrezat e Jasharajve

Pa luftë e pa dëshmorë, liria e Kosovës nuk do të vinte. Familja e madhe e Jasharajve ishte ajo që dha gjithçka në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Për ta nderuar këtë familje me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së vendit shumë personalitete kombëtare e ndërkombëtare kanë bërë homazhe te Varrezat e Jasharajve në Prekaz.

Në vazhdën e aktiviteteve të ditës së dytë të këtij përvjetori, filantropi Lazim Destani ka bërë homazhe te Kompleksi i Jasharajve në Prekaz dhe ka vënë kurorë me lule në nderim të dëshmorëve, e të kësaj familje martire, simbol i qëndresës dhe luftës çlirimtare të UÇK-së.

Pas Prekazit, Lazim Destani ka vizituar në fshatin Brojë të Skënderajt Haxhi Thaçin, babain e ish-Presidentit Hashim Thaçi i cili ndodhet nën hetime në Gjykatën e Hagës.

Mbi aktivitetet e kësaj dite, në faqet e tij zyrtare në rrjetet sociale, vet filantropi Destani sjell njoftimin në vijim;

“Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Pavarësisë së Kosovës, homazhet te Varrezat e Jasharajve në Prekaz zënë vend të veçantë. Këtu nderuam dhe respektuam në mënyrën më dinjitoze e më të lartë luftën dhe sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjen Jashari, si dhe gjithë dëshmorët e luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, shkruan Destani në profilin e tij në Facebook.  

Më tej ai shton se;

“udhëtimi im i radhës ishte rruga drejt fshatit Brojë të Drenicës, ku vizitova të nderuarin Haxhi Thaçi, babain e ish-Presidentit Hashim Thaçi. Këtu gjeta mikpritjen e ngrohtë e vëllazërore të kësaj familje bujare. Gjatë bisedës theksova se Pavarësia e Kosovës do të ishte e pamundur pa luftën heroike e të drejtë të UÇK-së e pa largpamësinë e lidershipit shqiptar. Gjithashtu shpreha bindjen e plotë se krerët e UÇK-së tash po përballen me betejën e tyre të fundit për mbrojtjen e Kosovës nga tendencat për shtrembërimin e ngjarjeve e të historisë!”.

Gjatë kësaj dite, Lazim Destani gjithashtu ka vizituar komunën e Mitrovicës dhe Komunën e Skënderajt, ku është takuar me Kryetarët e këtyre dy Komunave të prekura nga përmbytjet e 19 janarit.

“Pas Brojës, vizitova Mitrovicën dhe Skënderajn ku pata kënaqësinë të takoj Kryetarët e këtyre dy komunave, z. Bedri Hamza dhe z. Fadil Nura. Gjatë bisedave në këto dy takime, pas urimeve të ndërsjella për festën e Pavarësisë, Kryetarët e këtyre dy komunave nënvizuan përpjekjet e tyre për menaxhimin dhe tejkalimin e pasojave nga përmbytjet e muajit të kaluar. Në fund të këtyre takimeve, në shenjë falënderimi për mbështetjen që u dhamë familjeve të prekura nga vërshimet, pata nderin të pranoj mirënjohje nga këto dy komuna”, ka shkruar Destani.

Previous
Previous

Tetovë/ Lazim Destani, në ceremoninë e vënies së gur-themelit të Korridorit 8

Next
Next

Pavarësia e Kosovës / Lazim Destani i ftuar nderi në seancën solemne në Parlamentin e Kosovës