Pavarësia e Kosovës / Lazim Destani i ftuar nderi në seancën solemne në Parlamentin e Kosovës
Ditën e djeshme, 15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës është shënuar me një sërë aktivitetesh mbarëkombëtare, ndërsa Prishtina ishte kryeqendra e aktiviteteve qeveritare të institucioneve më të larta shtetërore të vendit.
Mes të ftuarve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, në këtë festë të Pavarësisë, mori pjesë edhe biznesmeni dhe filantropi i njohur, Lazim Destani. Njoftimin mbi pjesëmarrjen në këto aktivitete e ka ndarë në rrjetet sociale edhe vetë z. Destani, i cili shkruan:
“17 Shkurti i djeshëm, 15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, ishte një ditë e ngjeshur me aktivitete festive në Prishtinë. Një ditë kur gëzimin e shikoje në sytë e çdo shqiptari aty që kishte dalë për të festuar, në sytë e qindra të ftuarve në këto ceremoni, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Diaspora.
I ftuar nga autoritetet Qeveritare pata nderin të marr pjesë në këto aktivitete, duke filluar nga ceremonia solemne e mbajtur në Parlamentin e Kosovës. Këtu pata rastin e kënaqësinë të takohem edhe me shumë personalitete shqiptare e ndërkombëtare. Gëzimi më i madh ishte të shikoje në sheshin kryesor ushtrinë dhe policinë e Kosovës teksa parakalonin Forcat e Mbrojtjes dhe Sigurisë të një shteti të lirë, demokratik e të pavarur.
Gjatë aktiviteteve e manifestimeve të shumta takova të gjithë krerët e institucioneve të Kosovës si dhe liderët politik të vendit me të cilët patëm kënaqësinë të shkëmbejmë urime për festën e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Lavdi UÇK-së dhe martirëve që ranë për lirinë e Kosovës! Mirënjohje NATO-s, SHBA-ve dhe gjithë botës demokratike që mbështeti dhe vazhdon ta përkrahë Pavarësinë e Kosovës”.