Bruksel / Lazim Destani, në mbledhjen ceremoniale të Parlamentit Europian
Me ftesë nga Parlamenti Europian (PE) Lazim Destani merr pjesë në takimin e 26-të vjetor të Mëngjesit të Lutjeve në Bruksel. Ai me datë 6 -7 dhjetor këtu ndoqi ngjarjet përbërëse të këtij aktiviteti me peshë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, për Europën si dhe mbarë botën. Për të marrë pjesë në këtë ngjarje tradicionale të organizuar nga PE, këtu mblidhen së bashku Anëtarë të Parlamentit Europian, zyrtarë Europianë, diplomatë, politikanë dhe njerëz të biznesit nga Belgjika, nga shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, si dhe nga kombe të ndryshme të botës.
Takimet si ky paraqesin mundësi të dëshmuara për thellimin e miqësive si dhe për t’u dhënë mbështetje liderëve europianë në përballje me sfidat që po kalon kontinenti ynë. Në këto kohë sfiduese, takimet e personaliteteve që vijnë nga shumë vende të botës janë akoma më kuptimplotë pasi ato i shërbejnë ndërtimit të një shoqërie të vërtetë dhe paqes në botën tonë.
Për pjesëmarrjen këtu, Lazim Destani në Facebook shkruan:
I ftuar nga Parlamenti Europian në Bruksel, me moton "Mbarimet dhe Fillimet", pata kënaqësinë e pjesëmarrjes në këto takime.
Në kohë sfidash globale eventet si këto janë të rëndësishme e frytdhënëse pasi në to shkëmbehen përvoja e dalin mendime konstruktive në dobi të ekonomisë e të politikës në përgjithësi. Mësimet nga e kaluara por edhe nga e tashmja duhet t’i shërbejnë rritjes së vlerave dhe forcimit të marrëdhënieve tona universale.
Takimet me miq nga Parlamenti Europian si dhe me miq nga lidershipi i vendeve të shumta pjesëmarrëse janë gjithmonë me peshë për vendet tona. Me shumë miq këtu diskutuam mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit, e veçmas në Maqedoninë e Veriut, Kosovë e në Shqipëri, si edhe mbi integrimin e vendeve tona në familjen e madhe europiane.