Prishtinë / Lazim Destani merr pjesë në hapjen e Zyrës në Kosovë të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane

Lazim Destani and Prime Minister of Kosova - Albin Kurti

Përmes një ceremonie madhështore që u mbajt në Prishtinë, dje u përurua hapja e Zyrës në Kosovë e Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane (UB). Të prirë nga Kryetari i UB Nazmi Viqa, këtu të pranishëm ishin shumë anëtarë të Unionit të Bizneseve shqiptare në Gjermani. I ftuar në këtë ngjarje ishte prezent edhe Lazim Destani si Kryetar Nderi i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, por edhe si anëtar i UB-së.

Për ta nderuar hapjen e kësaj Zyre të rëndësishme për ekonominë e Kosovës, krahas Kryeministrit Albin Kurti morën pjesë autoritete si, Zv.Kryeministrja dhe Ministre e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, Kryetari i qytetit të Prishtinës Përparim Rama, Ish-Presidentët Z. Sejdiu dhe Znj. Jahjaga, si dhe liderë e personalitete nga klasa politike e vendit. Ishte i pranishëm gjithashtu edhe Zv.Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Z. Matthias Conrad.

Kryetari i UB Nazmi Viqa në fjalën e tij shpalosi rolin dhe synimet e Unionit, duke theksuar se investimet në Kosovë, mbështetja për kompanitë lokale dhe ndihma për komunitetin do të vazhdojnë të mbeten ndër objektivat kryesor të Unionit. Për realizimin e këtyre objektivave, ai shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me të gjithë faktorët relevant në Kosovë.

Kryeministri Kurti përgëzoi Unionin e Bizneseve Shqiptaro-Gjermane për rolin e tij si subjekt shumë i rëndësishëm si dhe për përmbushjen e premtimit për të shërbyer si urë e fuqishme ndërlidhëse midis Kosovës dhe Gjermanisë, dy shteteve të cilat gëzojnë marrëdhënie të shëndosha politike, ekonomike, kulturore, diplomatike e tregtare.

image of audience in the room

Ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë e madhe që mërgata ka luajtur në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe në procesin e shtetndërtimit ndër vite, duke krijuar ura lidhëse ndërmjet Kosovës dhe vendit pritës. Unioni i Bizneseve, tha ministrja Gërvalla, është një dëshmi e vizionit të përbashkët për një komunitet shqiptar të suksesshëm në Gjermani, duke mos qenë vetëm një zyrë, por një qendër e mundësive, një hapësirë ku idetë do të kultivohen, partneritetet do të ndërtohen dhe sukseset do të festohen.

Lazim Destani on stage giving speech directed to audience

Ndër figurat që e përshëndetën hapjen e kësaj Zyre ishte edhe Lazim Destani. Ai në rrjetet e tij sociale, kështu e përshkruan pjesëmarrjen në këtë ceremoni:

Pas aktiviteteve dyditëshe te Samiti III i Diasporës në Tiranë, dje pata nderin e kënaqësinë të marr pjesë në ceremoninë e hapjes së Zyrës në Kosovë të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane. Në këtë ngjarje, të organizuar nga Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, isha i ftuar si Kryetar Nderi i Rrjetit Global të Biznesit të Diasporës.

Hapja e kësaj Zyre në Prishtinë i bëri bashkë shumë anëtarë të Unionit të Bizneseve shqiptare në Gjermani, të prirë nga Kryetari i UB z.Nazmi Viqa,  autoritete të larta shtetërore të Kosovës, ndër të cilët, Kryeministri Kurti, Zv.Kryeministrja dhe Ministre e Punëve të Jashtme znj. Gërvalla, Kryetari i qytetit të Prishtinës Përparim Rama, Ish-Presidentët z. Sejdiu e znj. Jahjaga, si dhe personalitete nga klasa politike e vendit. Ishte i pranishëm gjithashtu edhe Zv.Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë z. Matthias Conrad.

Në fjalën time përshëndetëse në këtë ceremoni nënvizova se për shumë afaristë të suksesshëm nga Gjermania e Kosova kjo Zyrë tash e tutje do të krijojë më shumë lehtësira dhe mundësi të reja qasjeje dhe përfaqësimi të drejtpërdrejtë në këto dy vende, por edhe më gjerë.

Gjithashtu ndër të tjera theksova se diaspora duhet sa më shumë ta drejtojë vëmendjen tek investimet këtu në Kosovë si dhe më gjerë në rajonin tonë pasi ne po përballemi me dukurinë shqetësuese të largimit të të rinjve tanë nga vendi. Nëse ne si afaristë do kemi mundësi që vetë apo me partnerët tanë të investojmë por edhe të sjellim këtu investitorë të tjerë, me siguri se këtë shqetësim nuk do ta kemi.

Previous
Previous

Bruksel / Lazim Destani, në mbledhjen ceremoniale të Parlamentit Europian

Next
Next

Tiranë / Lazim Destani merr pjesë në Samitin III të Diasporës