Preshevë / Lazim Destani merr pjesë në Konferencën Ekonomike në Luginën e Preshevës
Për dy ditë me radhë (28-29 korrik), ishte Konferenca Ekonomike e Preshevës ajo që në Luginë i bëri bashkë sipërmarrës e grupe interesi nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Zvicra, Gjermania, Austria, si dhe prodhuesit vendorë.
Nën organizimin e ‘Unionit të Afaristëve Vizioni – Preshevë, Medvegjë, Bujanoc’, në këtë aktivitet dy-ditësh morën pjesë përfaqësues të Odave Ekdonomike të rajonit, si Dhoma e Biznesit të Diasporës me seli në Tiranë, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, Aleanca Kosovare e Bizneseve, drejtues të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës nga Gjermania, Zvicra e Austria, si dhe përfaqësues të shumë kompanive nga trojet tona e nga diaspora.
Nën moton ‘Ekonomia shpëton Luginën e Preshevës’, në këtë konferencë u trajtuan tema të ndryshme që lidhen me zhvillimin ekonomik të Luginës, ndërsa në fokus ishte promovimi i produkteve të këtushme dhe krijimi i një rrjeti për t’i lidhur prodhuesit vendorë me ata ndërkombëtarë.
Me përfundimin e Konferencës, agjenda vazhdoi me vizitat e realizuara në një varg kompanishë të rajonit të Luginës. Për afaristët e ardhur nga viset tjera e nga diaspora këto vizita ishin një mundësi e mirë për t’u njohur nga afër me llojshmërinë e produkteve të këtushme si dhe për t’i parë mundësitë e gjetjes së tregjeve të reja për t’i ofruar ato.
Fjala përshëndetëse e z. Destani:
Jam i lumtur që ndodhem sot këtu në Preshevë për të marrë pjesë e për të kontribuar në këtë Konferencë Ekonomike të organizuar nga UNIONI I AFARISTËVE VIZIONI – PRESHEVË, MEDVEGJË, BUJANOC.
Kam marrë pjesë në shumë Konferenca Ekonomike të nivelit kombëtar apo ndërkombëtar por pjesëmarrja në këtë Konferencë është po aq e veçantë sa dhe vetë motoja e kësaj Konference: “Ekonomia shpëton Luginën e Preshevës”!
Kam përshtypjen se në Luginën e Preshevës kjo është Konferenca e parë ekonomike e këtyre përmasave, me pjesëmarrje të gjerë të Odave dhe subjekteve ekonomike si dhe bizneseve nga të gjitha trojet tona e nga diaspora.
Me këtë rast, për iniciativën dhe organizimin e kësaj Konference dua ta përgëzoj Kryesinë e Unionit të Afaristëve Vizioni dhe në veçanti Kryetarin Xhelal Memeti.
Kjo pjesëmarrje e gjerë patjetër që ofron mundësi të mëdha bashkëpunimi mes kompanive tona ku gjithsesi edhe Odat Ekonomike kanë rol shumë të madh me mbështetjen dhe lehtësirat që u ofrojnë kompanive, si për bashkëpunim ashtu dhe për investime potenciale.
Lugina e Preshevës kërkon dhe meriton të ketë vëmendjen e klasës së biznesit. Investimet këtu le t’i konsiderojmë edhe si obligim tonin për ta mbështetur popullatën e këtushme. Kontributi ynë për zhvillimin ekonomik të kësaj ane është i pazëvendësueshëm dhe me rol jetik për zhvillimin e përgjithshëm të Luginës.
Gjithashtu, faktorit politik të Luginës së Preshevës si dhe institucioneve vendore këtu, do t’u bëja thirrje për unitet e për veprime mbështetëse për bizneset e për investime të reja.
Zonat e Lira Ekonomike për shembull luajnë rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, andaj drejtuesit e komunave të Luginës mbase mund të bëjnë përpjekje për ndonjë të tillë. Këto zona ofrojnë mundësi të shkëlqyera për investitorët dhe sidomos për Investime të Huaja Direkte dhe këto janë investime që paraqesin segment tejet të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi.
Për ta përfunduar, dëshiroj më të mirën për Luginën e Preshevës, dhe Konferencës i uroj punime të mbara dhe shumë suksese!