Lazim Destani ndjek ndeshjen miqësore të KF Shkëndija me FC Wil nga Zvicra

Lazim Destani ndjek ndeshjen miqësore të KF Shkëndija me FC Wil nga Zvicra

Dje, me datë 9 shtator, Klubi i Futbollit Shkëndija ka qenë skuadra mike në ndeshjen miqësore me KF Wil që u zhvillua në Zvicër. Për dallim nga ndeshjet e rëndomta, kësaj radhe në qendër të vëmendjes nuk ishte ndeshja mes këtyre dy skuadrave por argëtimi dhe festa para e pas ndeshjes ku gjetën kënaqësi mijëra shqiptarët që jetojnë në Zvicër e që e ndoqën këtë ndeshje nga tribunat e stadiumit.

Kjo ngjarje ku u kombinua sporti dhe programi i pasur kulturo-artistik, u realizua në saje të organizimit të mrekullueshëm nga drejtuesit e skuadrës nikoqire në bashkëpunim me imamin e xhamisë së Wil-it. Shoqëria Kulturo-artistike ‘Xheladin Zeqiri’, si dhe grupi muzikor i rokut shqipar ‘Elita 5’, të ftuar në këtë festë, kishin ardhur enkas nga Tetova për ta bërë këtë ditë sa më të bukur për mërgimtarët tanë që i kishin mbushur plot e përplot tribunat e këtij stadiumi.

Siç e ka përshkruar dhe vetë i pari i Shkëndijës, Lazim Destani, festa me këngë e valle në stadiumin e Wil-it ka nisur dy orë para fërshëllimës së parë të arbitrit. Në fjalën e tij përshëndetëse para publikut të këtushëm ndër të tjera Lazim Destani shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që shteti Zviceran i ka dhënë dhe po i jep popullit shqiptar. Këtu tha ai, punojnë dhe shkollohen qindra mijëra shqiptarë, dhe kjo është për t’u vlerësuar lart. Ai gjithashtu e çmoi shumë faktin që gjuha shqipe gjithnjë e më shumë po etablohet në Institucionet Zvicerane.

Lazim Destani ndjek ndeshjen miqësore të KF Shkëndija me FC Wil nga Zvicra

Ndërsa në vijim, teksti i postimit të z. Destani të nesërmen në Facebook:

“Kënaqësi të veçantë e plot emocion na solli mbrëmë ndeshja miqësore e futbollit FC Wil – KF Shkëndija në Zvicër. Kjo nuk ishte thjesht një ndeshje e zakonshme miqësore mes dy skuadrash por më shumë se kaq. Ashtu siç e prisja, këtu gjeta një festë të vërtetë, një atmosferë madhështore, me tribunat e stadiumit të mbushura plot e përplot nga bashkatdhetarët tanë.

Dy orë para fillimit të ndeshjes nisi festa. Për të performuar këtu kishte ardhur enkas nga Tetova Shoqëria Kulturo-Artistike ‘Xheladin Zeqiri’ dhe Grupi i njohur muzikor ‘Elita 5’. Këtu u hodh vallja dhe jehoi kënga shqipe, e ndjekur nga mijëra bashkatdhetarë që i kishin stolisur tribunat e stadiumit me flamujt kombëtarë. Dhe për t’ia shtuar bukurinë kësaj feste, aty ishin dhe mundësit (pehlivanat) në mesin e të cilëve po e veçoj kampionin botëror, Shaban Tërstena.

Atmosfera festive nuk ishte vetëm brenda stadiumit, ajo ndihej madje edhe nëpër rrugët e Wil-it dhe të krijonte ndjesinë si të ishe në ndonjë qytet në viset tona! Kjo ndeshje e Shkëndijës i mblodhi në këtë qytet zviceran gjithë ata bashkatdhetarë që vinin nga të gjitha trojet tona. Dhe kjo atmosferë e këndshme, ashtu si gjithë të tjerëve, më solli gëzim të papërshkrueshëm.        

Organizatorët i falënderoj përzemërsisht për ftesën si dhe për kontributin e tyre për t’i sjellë një ditë të këtillë festive komunitetit të diasporës sonë në Zvicër. Në veçanti falënderoj imamin e xhamisë së Wil-it Bekim Alimi dhe stafin e tij, si dhe anëtarin e Bordit të FC Wil, Faton Ramadani.”

Previous
Previous

Prishtinë / Lansohet në Kosovë “OneFor”, aplikacion i ri për shërbime financiare digjitale

Next
Next

Preshevë / Lazim Destani merr pjesë në Konferencën Ekonomike në Luginën e Preshevës