Lazim Destani merr pjesë në Forumin e Bizneseve të Diasporës

Biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani, ishte pjesë e Forumit të Bizneseve të Diasporës që i zhvilloi punimet me datë 27-28 maj në Prishtinë. Këtu morën pjesë rreth 120 biznese nga diaspora dhe rreth 100 të tjera nga Kosova, përfaqësuesit e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kryetarë komunash e përfaqësues të USAID-it, si dhe përfaqësuesit e odave ekonomike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Forumin e hapi Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili në fjalën e tij hapëse tha:

“Kam kënaqësinë që sot ta hap këtë Forum të Bizneseve të Diasporës. Shpresoj që nëpërmjet rrjetëzimit që ofron ky forum sot të lidhen partneritete bashkëpunimi të investimeve të reja dhe të eksportit ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe atyre të diasporës”. Më tej kreu i ekzekutivit të Kosovës tha, “Si treg me dy milionë banorë, eksporti duhet të jetë kryefjala. Mirëpres bashkërendimin e platformave ekonomike në mënyrë që potencialet t’i shndërrojmë në mundësi reale. Për ta lehtësuar zhvillimin ekonomik jemi duke punuar në fuqizimin e  rendit dhe ligjit, themelimin e Gjykatës komerciale si dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes.”

Lazim Destani në fjalën e tij përshëndetëse tha:

“Është thënë shumë herë se roli i diasporës shqiptare për zhvillimin ekonomik të vendeve tona është kyç dhe i padiskutueshëm. Diaspora paraqet kapitalin më të madh jo vetëm ekonomik por edhe social e kulturor. Krahas aspektit të investimeve, vlerat e diasporës janë shumë-dimensionale, si nga aspekti i transferit të eksperiencave, dijeve, inovacioneve, kulturave e pse jo edhe të rrjeteve të bashkëpunimit me bizneset dhe kompanitë europiane nëpër vendet ku ne veprojmë dhe operojmë. Sot nuk ka vepër më të madhe patriotike se sa rritja e eksportit dhe ekonomive tona. Ka akoma shumë hapësirë dhe potencial për përmirësim në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe mendoj se kompanitë e diasporës sonë në Europë e gjetiu janë urat më të fuqishme lidhëse të këtij zhvillimi”. Ai vazhdoi duke thënë, “Si në diasporë ashtu edhe në trojet tona ne kemi rini të mrekullueshme, të rinj e të reja të shkolluar e të përgatitur profesionalisht që e duan punën dhe janë me plot ambicje për të arritur suksese në jetë. Kjo paraqet kënaqësi të madhe për të gjithë ne, dhe ne jemi ata që duhet ta krijojmë hapësirën e veprimit të tyre. Arritja e këtyre synimeve duhet të mbështetet edhe përmes politikave ekonomike të vendeve tona për lehtësimin e këtyre trendeve.”

Drejtoresha e USAID në Kosovë, Zeinah Salahi në Forumin e Bizneseve të Diasporës vlerësoi rolin që ka diaspora në Kosovë, ndërsa theksoi se mërgata e Kosovës është një kombinim i fuqishëm i njohurive mbi tregun dhe dashurisë së madhe për vendin. Ndër të tjera ajo theksoi:

“Të gjithë ne jemi duke punuar rreth një synimi të përbashkët që të ndihmojmë në krijimin e një mundësie më të mirë ekonomike për bizneset e juaja dhe për njerëzit e Kosovës. Diaspora e Kosovës shpesh janë të njohur për përkushtimin e tyre të madh ndaj shtetit të tyre. Industria e eksportit është rritur në Kosovë dhe është duke ju përgjigjur standardeve zhvilluese. Brendi i Kosovës është duke u zhvilluar dhe duke treguar një konkurrencë të lartë të cilësisë. Diaspora e Kosovës është një kombinim i fuqishëm i njohurive të mëdha të tregut dhe dashurisë së madhe për Kosovën. Është një përkushtim i jashtëzakonshëm i këtyre të rinjve”.

Kryetari i Rrjetit të Bizneseve Diasporës Shqiptare në Austri, Yll Blakaj tha se rrjetëzimi i anëtarësisë së tyre do të zgjerohet kudo ku ka biznese shqiptare në Evropë. Në fjalën e tij ai theksoi:

“Në projektet që kemi pasur konstatuam që kemi shënuar progres në bashkëpunimin e bizneseve të diasporës me ato vendore. Rrjetëzimi do të vazhdojë në të gjitha vendet e Evropës. I ftoj bizneset nga Kosova që të intensifikojnë takimet me bizneset nga diaspora.”

Në ditën e dytë të Forumit, përfaqësuesit e kompanive nga diaspora dhe atyre të huaja që morën pjesë në Forum kanë vizituar një numër kompanishë në Kosovë ku janë njohur me produktet dhe kapacitetet e tyre prodhuese. Forumi i Bizneseve të Diasporës u realizua nga bashkë-organizimi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Europë, Projekti – Kosovo Complete i USAID-it dhe organizata Germin.

Previous
Previous

Forumi i Shkupit për Ekonomi dhe Financa, Lazim Destani: Ngjarje e veçantë për rajonin

Next
Next

Lazim Destani, në Samitin “BE takon Ballkanin”