Berlin / Lazim Destani, në inaugurimin e panairit “Global Albanian Gastronomy Festival”
Në monumentin industrial Arena Halle në qendër të Berlinit, më 2 dhe 3 tetor, u mbajt panairi “Global Albanian Gastronomy Festival” (GAGF). Inaugurimi i këtij panairi mblodhi këtu më se një mijë vizitorë dhe ekzibitorë duke i bërë bashkë shumë përfaqësues biznesesh, kryesisht nga sfera e gastronomisë, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare e nga diaspora.
Krahas promovimit të kuzhinës shqiptare ky panair gjithashtu dëshmoi pasurinë kulturore shqiptare dhe ishte një mundësi e shkëlqyer për të festuar identitetin tonë në një skenë madhështore ndërkombëtare siç është Arena Berlin.
Për ekspozimin e potencialit kulturor dhe ekonomik këtu ishin të pranishëm një numër i madh i gastronomëve shqiptarë nga e gjithë bota, ku më se 100 prej tyre kishin ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Inaugurimin e panairit me praninë e tyre e nderuan gjithashtu edhe personalitete shtetërore nga trojet tona e nga Gjermania, ndër të cilët, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani, Zv.Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti, Rozeta Hajdari- Ministre në Qeverinë e Kosovës, Sekretari për Çështje Federale dhe Europiane në Shtetin e Berlinit, Florian Hauer, e të tjerë.
Në kuadër të këtij panairi në mënyrë paralele u zhvilluan disa Panele Diskutimi. Lazim Destani ishte pjesë e panelit me temë: Potenciali i kapitalit të diasporës shqiptare në zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Këtu u diskutua mbi gjetjen dhe rritjen e mundësive të sjelljes së kapitalit të diasporës në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Gjatë diskutimit të tij, Lazim Destani vuri në dukje peshën dhe rolin e diasporës për zhvillimin ekonomik të rajonit. Ai tha,
“Diaspora jonë, krahas kapitalit financiar, ka gjithashtu dhe ekspertizën e fituar në vendet e zhvilluara perëndimore.”
Për nxitjen e investimeve kapitale nga jashtë, ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e politikave të përshtatshme që duhet të zbatohen nga qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Lidhur me pjesëmarrjen e tij në këtë ngjarje inauguruese të GAGF, Lazim Destani në Facebook shprehet:
Ishte kënaqësi pjesëmarrja në inaugurimin e panairit “Global Albanian Gastronomy Festival” që u hap dje, dhe që i vazhdon aktivitetet edhe sot (2-3 tetor) këtu në Berlin.
Inaugurimi i këtij panairi u nderua gjithashtu edhe me praninë e figurave shtetërore nga trojet tona e nga Gjermania, ndër të cilët edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Unë pata nderin të jap kontributin tim si pjesëmarrës në njërin prej paneleve të këtij eventi, ku diskutuam mbi gjetjen dhe rritjen e mundësive të sjelljes së kapitalit të diasporës në vendet e rajonit tonë. Gjatë diskutimit këtu theksova se vendet tona kanë nevojë për investime, kanë nevojë për kapitalin e diasporës, jo vetëm për kapitalin financiar por edhe për ekspertizën që diaspora jonë ka fituar në vendet e zhvilluara perëndimore. Me këtë rast gjithashtu vura theksin te niveli i shkathtësive imanente që duhet ta kenë segmentet përkatëse të qeverive të vendeve tona për shkurtimin e procedurave për sjelljen e vendimeve.
Ajo çfarë uroj është që këto aktivitete të jenë edhe në shërbim të lehtësimit të kushteve nëpër vendet tona për sjelljen e investimeve të reja, e veçanërisht nga investitorë shqiptarë, tashmë të dëshmuar nëpër botë.