Lazim Destani mori pjesë në takimin e organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës
Si i ftuar special, Lazim Destani mori pjesë në takimin e organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës (KKK) që u mbajt te Klubi Ekonomik (Wirtschaftsclub) në Dyzeldorf të Gjermanisë.
Kolegji i Kirurgëve të Kosovës është organizatë shkencore dhe avokuese në shërbim të avancimit të disiplinave të kirurgjisë në Kosovë. Si asociacion shkencor dhe edukativ jofitimprurës, Kolegji është themeluar në vitin 2018.
Pas pesë vitesh nga themelimi i KKK, ky takim në Dyzeldorf shënoi hapin e parë drejt shtrirjes së rrjetit të KKK me synimin për t’i përfshirë këtu edhe kirurgët nga radhët e diasporës sonë europiane. Me qëllim themelimin e degëve të Kolegjit, drejtuesit e KKK zhvilluan diskutime me kirurgët e shumtë pjesëmarrës në takim të cilët profesionin e tyre e ushtrojnë në Gjermani e në vende tjera të Europës.
Me këtë rast, kryetari i KKK-së Dr. Rifat Latifi bëri një prezantim të përmbledhur të punës së Kolegjit në pesëvjeçarin e parë dhe më pas, së bashku me kirurgët pjesëmarrës në takim, i shqyrtuan mundësitë mbi organizimin, konsolidimin dhe strukturimin e këtij subjekti në diasporë.
Në fjalën e tij Lazim Destani e çmoi lart punën e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, dhe në veçanti ai e përshëndeti hapin e KKK për shtrirjen e rrjetit të tyre në vendet europiane.
Nga pjesëmarrja në këtë aktivitet, z. Destani në rrjetet e tij sociale shkruan:
I ftuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës sot pata kënaqësinë që si përfaqësues i Këshillit Koordinues të Diasporës të marr pjesë në takimin e këtij Kolegji që u mbajt në Klubin Ekonomik (Wirtschaftsclub) në Dyzeldorf. Krahas drejtuesve të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës në krye me Dr. Rifat Latifi, në këtë takim morën pjesë shumë kirurgë shqiptarë që ushtrojnë profesionin e tyre në Gjermani. Takimi kishte për qëllim organizimin e kirurgëve të diasporës sonë në Europë duke e strukturuar atë me degët në Europë. Këtu u zhvilluan diskutime mbi strategjitë si dhe konsolidimin e strukturave menaxhuese në të ardhmen.
Në fjalën time përshëndetëse e çmova lart punën e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës duke theksuar rolin e rëndësishëm të këtij subjekti në organizimin e kirurgëve të diasporës sonë në Gjermani e në vendet tjera nëpër Europë.