Shkolla fillore “Liria” bëhet me ndërtesë anekse për fëmijët me nevoja të veçanta
Përmes një ceremonie inauguruese, te shkolla fillore “Liria” në Tetovë, sot u lëshua në përdorim ndërtesa e re anekse për fëmijët me nevoja të veçanta. Ky objekt përfshin tre klasa mësimi, tualete si dhe hapësirat e nevojshme plotësuese, ndërsa është donacion nga kompania Ecolog. Inventari i këtyre hapësirave mësimore është donacion nga Ambasada e Gjermanisë me të cilën kompania Ecolog ka marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi.
Iniciativa për ndërtimin e këtij objekti erdhi nga filantropi Lazim Destani, Kryetar i Bordit Këshillues në kompaninë Ecolog International. Kjo kompani ndërkombëtare ndër vite e dekada ndjek filozofinë e krijimit të mundësive të barabarta tek komunitetet. Në kuadër të përgjegjësisë shoqërore korporative Ecolog kudo që operon nëpër botë dhe në vazhdimësi realizon donacione në mbështetje të arsimit, shëndetësisë, shkencës, artit, sportit, etj..
Krahas z. Lazim Destani në ceremoninë e përurimit mori pjesë edhe Kryetarja e Komunës znj. Teuta Arifi si dhe drejtuesit e shkollës e të sektorit komunal të arsimit. Me këtë rast, për këtë donacion me vlerë ata e falënderuan z. Lazim Destani, kompaninë Ecolog si dhe Ambasadën e Gjermanisë.
Z. Destani u shpreh i lumtur për kontributin që jep Ecolog dhe familja e tij duke mbështetur projekte të ndryshme në të mirë të komuniteteve.
“Ndiej kënaqësi kur përurojmë donacione në mbështetje të komuniteteve ndërsa kënaqësia është e veçantë kur donacionet i përkasin sferës së arsimit. Investimi në arsim ka vlerë më të madhe nga çdo investim tjetër. Jam i lumtur që përmes këtij donacioni u sjellim lehtësira atyre që më së shumti e kanë të nevojshme vëmendjen e shoqërisë, fëmijëve me nevoja të veçanta”, tha ndër të tjera Lazim Destani.