Lazim Destani, takim online me Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani

Mjekët shqiptarë kudo në botë gjatë pandemisë janë më pranë se kurrë me vendlindjen e tyre. Gjithmonë të gatshëm për të dhënë mendimin e tyre profesional duke shpjeguar çfarë po ndodh, për të qetësuar ankthin e shqiptarëve në karantinë, e duke dhënë këshilla të vlefshme për jetën e gjithsecilit.

Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani ishte e para që u erdhi në ndihmë fillimisht shqiptarëve që jetojnë në Gjermani dhe pastaj, falë mundësive të komunikimit virtual, ata arritën të ndihmojnë çdo shqiptar që u shkruajti dhe kërkoi ndihmën e tyre.

E gjithë kjo eksperiencë e mjekëve në raport me vendlindjen u bë shkak për organizimin e një sesioni online për të mësuar më shumë se si mund të kthehen e të kontribuojnë në vendin e tyre.

Të ftuar në këtë takim virtual ishin z. Lazim Destani, biznesmen dhe anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD), znj. Olinga Rafat, Koordinatore Kombëtare e programit “Migracioni dhe Diaspora”, Dr. Marsela Ceno, Kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani si dhe Dr. Altin Veshti, kirurg i cili është kthyer në Shqipëri pas një përvoje 20 vjeçare në disa vende të botës.

Znj. Olinga Rafat prezantoi programin “Migracioni dhe Diaspora” si dhe shpjegoi mundësitë konkrete që ky program ofron për profesionistët shqiptarë që dëshirojnë të kthehen në vendlindje.

Z. Lazim Destani fillimisht i përgëzoi mjekët për punën që ata bëjnë dhe në veçanti për aktivitetet e tyre rreth Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani.

“Është kënaqësi që po marr pjesë në këtë takim informativ online të organizuar nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani. Si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës në vazhdimësi dhe me interesim të veçantë i ndjek aktivitetet e diasporës sonë. Unë, si dhe gjithë anëtarët e KKD-së, jemi shumë të përkushtuar që këto aktivitete të jenë në dobi të diasporës dhe vendeve tona. Prandaj edhe ky sesion informativ është i dobishëm për gjithë pjesëtarët e diasporës sonë që dëshirojnë të kthehen në vendlindje dhe me përvojën e tyre të kontribuojnë si ekspertë të fushave të ndryshme. Edhe kjo iniciativë ku po diskutohet mbi mundësitë reale të bashkëpunimit me sistemin shëndetësor në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut është për t’u përshëndetur e për t’u përkrahur. Me këtë rast falënderoj të gjithë mjekët në Diasporë dhe mjekët në vendet tona që dhanë dhe po japin kontribut shumë të madh në këtë periudhë pandemie”, tha ai.

Si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, z. Destani i ftoi mjekët shqiptarë në Gjermani ta mbështetin peticionin që ka nisur KKD-ja, – që të gjithë shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë t’u mundësohet e drejta e votës nga vendet ku ata banojnë. 

Kryetarja e Shoqatës, Dr. Marsela Ceno, tha se ky takim është hapi i parë i një rruge të re.

“Hapi i radhës është të hartojmë projekte konkrete bashkëpunimi. Dhënia e ndihmës është e mundur në dy forma, individuale por edhe si Shoqatë. Është me vlerë që nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë të ekzistojë dëshira për bashkëpunim. Ne na duhet një pasqyrim i hollësishëm i situatës konkrete që të vijmë të mirëinformuar, të dimë se çfarë pret dhe ku mund ta japim ndihmën tonë, aty ku vërtet duhet”, tha ajo.

Dr. Altin Veshti, kirurg në Kardiokirurgji Pediatrike, pas 20 vitesh eksperiencë  jashtë vendit, prej pak kohësh është kthyer në Shqipëri ku është bërë pjesë e sistemit shëndetësor. Dr. Veshti u ndal tek vështirësitë me të cilat përballen mjekët në spitalet vendase pas përvojës së tyre në vendet perëndimore.

“Problemi i parë me të cilin përballemi është mungesa e aparaturave ose ato që gjejmë nuk janë në gjendje të mirë”, tha ia. Sipas tij rikthimi i mjekëve në vendlindje, por edhe i çdo profesionisti tjetër duhet të bëhet nëpërmjet institucioneve. “Ministria e Shëndetësisë duhet të bëjë një sondazh për të kuptuar se çfarë specializimesh duhen. Në mënyrë që kushdo që dëshiron të vijë nga jashtë të jetë i qartë se çfarë mund të gjejë këtu”, përfundoi ai.

Sipas të dhënave jo zyrtare, deri më tani mbi 3 mijë mjekë janë larguar nga Shqipëria për të ushtruar profesionin e tyre nëpër Europë, ku rreth një mijë janë në Gjermani.

Previous
Previous

Lazim Destani takon Konsullin e Kosovës: Mundësi bashkëpunimi për investime

Next
Next

Lazim Destani: Nuk synoj politikën, pioritetet e mia janë Diaspora dhe zhvillimi ekonomik