Lazim Destani në Konferencën mjekësore ndërkombëtare: Jeni heronjtë e këtij viti.
Konferenca mjekësore ndërkombëtare multi-disiplinare, një bashkëpunim i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani me ACMS (Albanian Committee of Medical Students) dhe Shoqatës Mjekësore Shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar u zhvillua për tri ditë rresht me referues dhe të ftuar nga e gjithë bota.
Pjesë e këtij paneli ishte edhe Presidenti i Nderit i Dhomës së Biznesit të Diasporës, Lazim Destani. Destani falenderoi mjekët për kontributin e tyre të vyer në luftën me COVID-19.
“E përgëzoj ‘Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani’ si dhe ‘Komitetin e Studentëve Shqiptarë të Mjekësisë’ për kontributin shembullor për organizimin e kësaj konference mjekësore ndërkombëtare.
Me këtë rast, do të doja t’i them dy fjalë për të gjithë ju mjekët shqiptarë, në cilindo vend të botës ku punoni e veproni.Vitin 2020 e gjithë bota po e mbyll si një vit shumë të jashtëzakonshëm, që do të mbahet mend si viti i pandemisë së këtij shekulli, që po merr shumë jetë njerëzish dhe që e ka dëmtuar shumë edhe ekonominë globale.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, jeni ju mantel-bardhët që në përballje me këtë të keqe i keni shërbyer dhe po i shërbeni si mburojë njerëzimit.Tashmë botërisht është e ditur se ju jeni në vijën e parë të frontit dhe ju jeni ata që në këtë vijë qëndroni aq sa e kërkon nevoja dhe jo sa thotë orari i punës!
Prandaj, përkushtimi juaj, puna juaj e palodhshme si dhe kontributi juaj për shëndetësinë në trojet tona, na obligojnë gjithë ne të tjerëve t’jua japim mbështetjen e plotë, me të gjitha mënyrat e mundshme”, tha z. Destani.