Këshilli Koordinues i Diasporës mban Takimin vjetor në Tiranë

Mbledhja vjetore e Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD) nuk ishte vetëm bilanci i një viti pune, por edhe një tryezë diskutimi për çështje të rëndësishme që i takojnë Diasporës. Këto aktivitete kanë zgjatur  për tre ditë me radhë, 17 - 19 dhjetor.

Aktiviteti qendror u mbajt në Ditën Kombëtare të Diasporës, më 18 Dhjetor, ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimi, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Ministrja e Kulturës Elva Margariti, Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Ilirjan Celibashi, Kryetari i Nënkomisionit Parlamantar për Diasporën dhe Migracionin Lavdrim Krashi, Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi si dhe pjesëmarrës të tjerë.

Në fjalën e tij hapëse Kryetari i KKD, Mark Gjonaj theksoi rëndësinë e lidhjes që duhet të ketë Diaspora me vendin amë, jo vetëm sa i takon zhvillimit ekonomik e social por gjithashtu për të krijuar një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm. Ai tha se Diaspora nuk sheh ndonjë diferencë mes shqiptarëve kudo në trojet tona e në diasporë. Ne shohim interesin e të qenit të bashkuar. Një gjë që na lidh për të fituar nga njëri tjetri, sepse e dimë që kur punojmë së bashku realizojmë gjëra madhështore. Roli i Diasporës duhet të njihet dhe të vlerësohet. Diaspora nuk është një eksperiment social por as një bankë për lekë, Diaspora është një grup madhështor me forcë, me influencë e me shumë vlerë.

Si anëtar i KKD-së, Lazim Destani prezantoi punën trevjeçare të KKD-së, me fokus te aspekti i investimeve dhe zhvillimit ekonomik, si dhe te sfera e aktiviteteve humanitare të realizuara gjatë periudhës së pandemisë në mbështetje të popullatës në trojet tona.

Gjatë aktiviteteve treditore, anëtarët e KKD-së gjithashtu zhvilluan takime me Presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, me Kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla si dhe me përfaqësues të mazhorancës dhe partive opozitare. Gjatë këtyre takimeve me institucionet e vendit u zhvilluan diskutime nga tema të ndyshme duke u përqendruar tek prioritetet e KKD-së, si vota e diasporës e të tjera. Të gjitha palët shprehën mbështetjen e tyre për mundësimin e votës së diasporës dhe u zotuan se do t’i ndërmarrin hapat e duhur në këtë drejtim.

“Mirëprita sot përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Diasporës dhe diskutova me ta për votën e diasporës dhe shtimin e pranisë së tyre në shoqëri, por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me përfaqësimin e interesave të shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Diaspora, ndërsa është pjesë aktive e shoqërive në vendet pritëse, është gjithashtu pjesë e pandarë e kombit tonë, zhvillohet bashkë me ne dhe nxit përparim në shumë fusha të jetës. Garantimi i votës së diasporës është e vetmja mënyrë për të siguruar pjesëmarrjen e saj aktive në jetën e kombit si dhe për të përfituar perspektivën, përvojën dhe këndvështrimin e saj në hapat e ardhshëm që synojnë përparimin e vendit”, tha ndër të tjera Presidenti Begaj.

Për sa i përket çështjes së votës së diasporës, kryetarja Nikolla vuri në dukje se Kuvendi pret zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë për garantimin e kësaj të drejte.

Njëkohësisht Nikolla ftoi dhe siguroi anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës për bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin dhe institucionet e vendit, jo vetëm për legjislacionin për votën, por edhe për aspekte të tjera të zhvillimit të vendit.

“Kapitalet financiare, sociale dhe humane të diasporës shqiptare, të hershme dhe të re, janë një burim i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë. Diaspora përbën një pjesë vitale të shoqërive në vendet pritëse, me kontribute të njohura e të vlerësuara në zhvillimin ekonomik, sistemet e mirëqenies dhe shkencën e kulturën në këto vende”, nënvizoi Kryeparlamentarja Nikolla.

Në të gjitha takimet me anëtarët e KKD-së, drejtuesit e institucioneve të vendit e vlerësuan lart kontributin e diasporës shqiptare duke e nxitur atë të angazhohet vazhdimisht dhe në mënyrë sa më aktive në hartimin e politikave publike dhe shumë të rëndësishme për zhvillimin e kombit. Mbështetja e mësimit të gjuhës shqipe, njohja dhe përhapja e kulturës kombëtare si dhe mbështetja e aktiviteteve që mbrojnë identitetin kombëtar janë elementë shumë të rëndësishëm dhe si të tillë meritojnë gjithë mbështetjen dhe vëmendjen e institucioneve të vendit.

Previous
Previous

Lazim Destani vlerësohet me titullin Gjeneral i Paqes

Next
Next

Lazim Destani në “Bordin e Nderit” të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë