Lazim Destani, në Konferencën e Lidershipit Europian në Londër: Stabiliteti politik, faktor me rëndësi për zhvillimin ekonomik

Rrjeti i Lidershipit Europian (RrLE) lançon Programin shumëvjeçar për vendet e Ballkanit. Kjo konferencë u mbajt në Londër në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, në Pallatin Westminster, të premten më 24 qershor, 2022. 

RrLE, e mbështetur nga Qendra për Siguri e Europës Juglindore, po e lançon këtë program shumëvjeçar me qëllim forcimin e kapacitetit të parlamenteve dhe ligjvënësve individualë në shqyrtimin e politikave të sigurisë, duke plotësuar një boshllëk të qartë në sigurinë e rajonit të Ballkanit. 

Kjo konferencë njëditore mblodhi së bashku parlamentarë britanikë dhe përfaqësues nga Ballkani, ndërsa u organizua në tre seanca të ndryshme të dedikuara për tema të veçanta.

I ftuar nga kryetari i RrLE, Lordi Browne i Ladyton-it, në këtë konferencë mori pjesë edhe Lazim Destani. Ai në profilin e tij në Facebook shkruan:

“ I ftuar nga kreu i Rrjetit të Lidershipit Europian, Lordi Browne, pata kënaqësinë e pjesëmarrjes në Konferencën që u mbajt në ambientet e Parlamentit Britanik. Kjo Konferencë mblodhi së bashku parlamentarë britanikë dhe përfaqësues nga Ballkani Perëndimor me synim krijimin e një programi të pavarur, jopartiak që do të ndërtojë kapacitetet parlamentare ndërrajonale për t’i mbajtur degët ekzekutive përgjegjëse për çështjet e sigurisë.

Nga Parlamentarët Britanikë pjesëmarrës në konferencë do ta veçoja Lordin George Robertson – ish-Sekretar Gjeneral i NATO-s dhe ish-Sekretar i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar si dhe Lordin Browne i Ladyton-it – ish-Sekretar i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar dhe Kryetar i Rrjetit të Lidershipit Europian. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe Parlamentarë nga vendet e Ballkanit, si dhe përfaqësues nga sfera e biznesit.

Fjala hapëse dhe kryesore e Konferencës ishte ajo e Lordit Robertson, ndërsa nga temat e kësaj konference do ta veçoja atë të seancës së parë që ka të bëjë me sigurinë e rajonit të Ballkanit, – Situata aktuale në vendet e Ballkanit pas invazionit rus në Ukrainë.

Në darkën e organizuar nga nikoqirët pata rastin t’i përshëndes të pranishmit si dhe t’i falënderoj miqtë tanë ndërkombëtarë për përkrahjen e vazhdueshme që ata i japin vendeve të rajonit tonë të Ballkanit. Siguria dhe stabiliteti politik janë faktorë të rëndësishëm për bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik të rajonit”.

Previous
Previous

Në Prishtinë mbahet Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar

Next
Next

Gjermani / Lazim Destani merr pjesë në “Takimin Letrar – Azem Shkreli”