Diaspora dhuron pesë mijë teste për COVID-19 për Ministrinë e Shëndetësisë në Shqipëri
Pesë mijë komplete testimi për COVID-19 u dorëzuan sot në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri. Në bashkëpunim me Dhomën e Biznesit të Diasporës këtë donacion e sjellin tre biznesmenë nga diaspora, Lazim Destani, Nazmi Viqa dhe Remzi Ejupi.
Donacionin e pranuan, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Zv.Ministrja Mira Rakacolli dhe Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, ndërsa u dorëzua nga Skënder Xhakaliu (si përfaqësues i dy donatorëve, Destani dhe Viqa) si dhe nga Remzi Ejupi.
Për këtë dhuratë të çmuar, Ministrja Manastirliu në fjalën e saj shprehu falënderime ndaj donatorëve:
“Ne ndodhemi në një moment shumë serioz të zhvillimit të pandemisë dhe po përpiqemi të forcojmë kapacitetet tona. Ky donacion është një hap për zgjerimin e kapaciteteve testuese në vendin tonë, dhe sigurisht, kur ky solidaritet vjen nga bashkëkombësit tanë, ka vlerë akoma më të madhe dhe dua t’ju falënderoj me zemër për mbështetjen tuaj” tha Manastirliu.
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko tha:
“Mendoj se secili e bën detyrën sipas mënyrës së tij dhe kam vetëm përulje dhe falënderime për këtë akt humanitar që në këto ditë të vështira kanë bërë tre biznesmenët nga Diaspora duke ndihmuar Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë zonat shqiptare në rajon”.
Skënder Xhakaliu, nga Ecolog – Gjermani, në fjalën e tij tha:
“Eshtë kënaqësi që sot jam këtu në emër të z. Lazim Destani dhe z. Nazmi Viqa, ku së bashku me z. Remzi Ejupi po i dorëzojmë këto pesë mijë komplete testimi për Covid-19. Ashtu si deri më tani, sa herë që të jetë nevoja, Diaspora do të gjendet pranë institucioneve shtetërore, në mbështetje të vendeve tona.”
Ndërsa Remzi Ejupi tha:
“Është koha që të gjithë të jemi të organizuar e të vëmendshëm, ta ruajmë shëndetin e të kujdesemi për njëri-tjetrin. Me këtë rast, për aksionin e ndërmarrë dua të falënderoj z. Lazim Destani dhe z. Nazmi Viqa ndërsa shpresoj përmes këtij donacioni sadopak t’i vijmë në ndihmë Shëndetësisë dhe popullatës së vendit në përballje me pandeminë”.