Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare shënon një vjetorin e saj
Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare kremtoi sot njëvjetorin e themelimit të saj. Një ngjarje kaq e madhe do ishte dukur krejtësisht ndryshe në kushte normale, pra për shkak të situatës së rënduar nga COVID-19 ky përvjetor i parë u shënua përmes një takimi virtual me pjesëmarrjen e më shumë se 100 miqësh, mbështetësish dhe anëtarësh të Dhomës së Biznesit të Diasporës.
Në fjalën e tij të hapjes kryetari i Dhomë së Biznesit të Diasporës Z.Ardian Lekaj tha se viti 2020 deri tani ka qenë një vit i vështirë, për të gjithë.
“Sot jam shumë krenar që më në fund po realizohet një ëndërr. Shumë e më shumë njerëz po e kuptojnë se Diaspora ka vlerën e saj dhe se nëpërmjet Diasporës mund të arrihen suksese të reja. Ne në këto momente nuk jemi gjë tjetër veçse një ajsberg, të cilit i shikohet vetëm pjesa e sipërme dhe pjesën nën ujë do ta shohim më vonë”, – u shpreh Lekaj.
Ndërsa ministri i Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko në fjalën e tij përshëndetëse tha:
“Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare është një nga projektet më ambicioze që ne kemi nxitur në këtë periudhë. Dhe besoj dhe uroj që Dhoma e Biznesit do të jetë vërtet një projekt i cili do t’i bashkojë të gjithë shqiptarët. Diaspora Shqiptare nuk është një projekt vetëm i një shteti. Kjo është arsyeja që Shqipëria ka lidhur marrëveshje edhe me Kosovën, është në proces edhe me Maqedoninë e Veriut si dhe me Malin e Zi. Mendoj që forca e bizneseve shqiptare në Diasporë, por edhe e partnerëve të tjerë, ka shumë rëndësi pasi mendoj që ne kemi hedhur hapat dhe strukturat për të krijuar një Dhomë vërtet ambicioze”.
President i Nderit i Dhomës së Biznesit të Diasporës z. Lazim Destani duke falenderuar stafin dhe gjithë anëtarët e Dhomës së Biznesit tha se kjo ka qenë kjo një periudhë shumë e jashtëzakonshme, e nisur me pasojat e tërmetit për të vazhduar pastaj me telashet që shkaktoi pandemia.
“Në këto rrethana tejet të vështira u dëmtuan shumë familje e shumë biznese, si në vendet tona ashtu dhe në diasporë e kudo në botë. Të ndodhur përballë këtyre vështirësive Dhoma nuk është ndalur, përkundrazi, gjithsecili kemi zhvilluar aktivitete gjatë gjithë kohës. Së bashku edhe me Kryetarin e Dhomës, z. Ardian Lekaj, kemi zhvilluar disa takime virtuale por edhe takime direkte me partnerë të ndryshëm europianë. Kemi zhvilluar gjithashtu takime bashkëpunimi me Rrjetet e Bizneseve në vende të ndryshme të Europës si dhe jemi në kontakte të vazhdueshme me kompani të fuqishme të pjesëtarëve të Diasporës sonë. Jemi me plot shpresa për të bërë punë të mira, për të realizuar investime e për të hapur vende pune të reja. Uroj sa më shpejt ta lëmë prapa pandeminë, në mënyrë që ditët, javët dhe muajt në vijim të jenë gjithnjë e më të favorshëm për mëkëmbjen, zhvillimin dhe funksionimin e bizneseve”, tha ai.